ART & KULTURTË NDRYSHME

Ja ku gjendet e degraduar karroca e filmit “Nentori i Dyte” (FOTO)


Karroca e filmit “Nëntori i dytë”, një objekt simbol jo vetëm i kinemasë shqiptare para viteve ’90, por dhe i historisë, prej kohësh ndodhet në një gjendje të mjeruar në ambientet e ish-Kinostudios. Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” producenti Dritan Huqi ka bërë publike pamjet e karrocës duke e shoqëruar me thënien se “Në një vend normal ajo do ekspozohej me dinjitet diku. Si pjesë e historisë jo vetëm e kinemasë, por dhe me shumë se kaq. Fatkeqësisht, “dergjet” drejt degradimit, në një garazh të Kinostudios”.

Reklama në FieriWeb - Bar “C’est la vie”

Nuk është hera e parë që objekte simbole të kinematografisë sonë shihen në gjendje të rrënuar. Ideja e një muzeu të artit të soc-realizmit ku do të mund të ruheshin në gjendjen e duhur elemente nga kinematografia e atyre viteve prej kohësh është ngritur në rrethet e artistëve, por pa mundur të konkretizohet me veprime konkrete. Mungesa e një plani se si do të funksionojnë kujtesa jonë kolektive është e trishtë dhe çdo ditë shohim sesi humbin vepra që mund të ishin krenari e rrugëtimit tonë kinematografik dhe historik.

Reklama në FieriWeb - “BLETA PREMIUM”

Karroca me të cilën simbolikisht në filmin “Nëntori i dytë”, Ismail Qemali përshkroi rrugën për në Vlorë ku do të shpallte për herë të parë pavarësinë e Shqipërisë, dhe pse jo karroca reale është përfytyrimi që u ngulit në memorien e shikuesve mbi atë moment. Jo vetëm karroca, por shumë elementë në atë film, siç janë veshjet apo flamuri janë të rëndësishme.

Reklama në FieriWeb - “AUTOSHKOLLA SHPATA”

Me regji të Viktor Gjikës, filmi “Nëntori i Dytë” u realizua nën regjinë e Dhimitër Shuteriqit dhe Kiço Blushit nën muzikën e Kujtim Laros. Në role interpretojnë aktorët Sandër Prosi, Reshat Arbana, Mario Ashiku, Bujar Lako, Sulejman Dibra, Demir Hyskja, Petrit Malaj, Luan Qerimi, Hajrie Rondo, Luan Qerimi, Robert Ndrenika, Ilia Shyti, Pandi Raidhi, Spiro Urumi. Filmi trajton një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë shpalljen e pavarësisë së kombit shqiptar.

Reklam në FieriWeb - “VEGA SOLAR”

Personalitetet më të famshme të kombit të udhëhequr nga patrioti Ismail Qemali pas shumë pengesash arrijnë të ngrenë flamurin shqiptar dhe të shpallin kështu Pavarësinë e Shqipërisë në Vlorë më 28 Nëntor 1912. Më nëntor të vitit 2012 filmi i restauruar hapi siparin e “Festivalit të 13 të Filmit Shqiptar” që përkonte me përvjetorin e 100-të të pavarësisë.

Regjisori Viktor Gjika në kujtimet e tij tregon se ideja për këtë film i lindi në prag të 70-vjetorit të pavarësisë. “Aty nga fundi i verës së vitit 1981, akoma pa hyrë viti jubilar i 70-vjetorit të Pavarësisë, më lindi ideja e krijimit të një filmi artistik kushtuar këtij evenimenti madhor të historisë sonë. Angazhimi në një vepër të tillë ishte i paprecedentë.

Reklam në FieriWeb - “BREGU CLIMA”

Deri atëherë nuk ishte realizuar asgjë në këtë temë, nuk ishte shkruar asnjë dramë, roman apo tregim, as në lëmin e arteve figurative nuk kishte ndonjë portret apo tablo, e aq më tepër ndonjë vepër në fushën e muzikës së kultivuar. Për çudi, edhe në historiografinë shqiptare nuk kishte shumë materiale, studime e botime.

Në duart e mia kisha vetëm librushkën “Ismail Qemali” të shkruar nga Skënder Luarasi, një shirit me disa këngë popullore dhe shumë pak fotografi. Si i thonë fjalës “i hyra detit më këmbë!” Një ndihmë shumë të çmuar më dhanë punonjësit e Bibliotekës Kombëtare dhe të Institutit të Historisë, por në mënyrë të veçantë historianët Koli Xoxe, Kaliopi Bozo e Gazmend Shpuza, i cili u bë edhe konsulenti shkencor i filmit të ardhshëm”, kujtonte Gjika.

Fat sipas tij për realizimin e këtij filmi ishte dhe gjetja e aktorëve. “Fat tjetër që më shoqëroi gjatë realizimit të filmit ishte gjetja e saktë e interpretuesit të rolit të Ismail Qemalit, aktorit tonë të madh, Sandër Prosi. Me interpretimin e tij ai i bindi të gjithë shqiptarët, brenda dhe jashtë atdheut, se pikërisht i tillë dhe vetëm i tillë ka qenë plaku i Vlorës.

Nuk mund të harrohen, gjithashtu, aktorët e tjerë të shquar Reshat Arbana në rolin e Isa Boletinit, Bujar Lako në atë të Luigj Gurakuqit, Robert Ndrenika, Guljem Radoja, Viktor Zhusti, Ilia Shyti etj. Rëndësi të veçantë pati grimi i shkëlqyer i Llukan Bushit, zgjidhja figurative e operatorit të shquar, Lionel Konomi, dekoret e piktorit Arben Basha dhe padyshim muzika emocionuese e kompozitorit tonë të madh Kujtim Laro”, kujtonte regjisori. Pavarësisht se filmi u kthye në një nga veprat më të realizuara të atyre viteve ai nuk mundi t’i shpëtonte censurës.

“Realizimi i filmit kaloi përmes vështirësive të shumta e të gjithanshme, që nga gjetja e zgjidhjeve të duhura artistike në përputhje me vërtetësinë historike, organizimi i saktë i lëvizjeve brenda dhe jashtë kuadrit të mijëra figurantëve apo kuajve të shumtë, dhe deri te përputhja e domosdoshme e atmosferës së nxehtë të verës, kur xhirohej filmi, me dimrin e ftohtë të vitit 1912 kur zhvilloheshin ngjarjet historike.

Të gjitha u kapërcyen falë gatishmërisë shembullore të grupit realizues. E vetmja vështirësi që nuk u kapërcye dot ishte vendimi i Komisionit të Kontrollit Paraprak për të hequr nga filmi episodin “Beteja tek ura me tri harqe” në të cilën Isa Boletini detyrohet të ndeshet me ushtarët serbë që të hapë rrugën për të qenë prezent në momentin e shpalljes së Pavarësisë.

Ishte pikërisht kjo betejë që e çoi Isën në Vlorë me dy ditë vonesë. Episodi ishte mjaft dramatik. Peizazhi i ashpër malor, ura antike, lumi plot ujëra të turbullta, përleshja trup me trup aty mbi urë, kapja rob dhe ndëshkimi i oficerit serb Mitroviç – masakruesi i kosovarëve në fillim të filmit – e bënin atë episod, sipas kolegëve të mi që arritën ta shohin filmin të pacensuruar, një nga më të bukurit të xhiruar prej meje në kinematografi. Por s’qe e thënë! U ngul këmbë që episodi të hiqej, ndryshe filmi nuk do të shfaqej”, kujtonte Gjika.

Kjo censurë do të mbetej një plagë në karrierën e Viktor Gjikës të cilën ai e krahasonte me plagën e tretë të Gjergj Elez Alisë. “Pas heqjes të detyruar të finales së filmit “Gjeneral Gramafoni” dhe shkurtimeve dhe xhirimeve të porositura për filmin “Yjet e netëve të gjata”, heqja nga “Nëntori i dytë” i episodit “Beteja tek ura me tri harqe” do të bëhej për mua si “plaga e tretë e Gjergj Elez Alisë”, plagë që hapet sa herë shfaqet filmi!.. Më dukej sikur nuk rezistova sa duhej për ta mbrojtur episodin. Ndoshta kishte ndikuar edhe lodhja e tepërt e akumuluar gjatë krijimit të filmit të vështirë. Përveç kësaj, më dukej sikur kisha treguar vetëm një pjesë të vogël të së vërtetës mbi Ismail Qemalin.

E unë kisha kaq shumë për t’i thënë e për t’i treguar shikuesit shqiptar! Jeta e personazhit tim ishte aq e pasur sa nuk mund të hynte në një film të vetëm artistik. Kjo dhimbje më shoqëroi plot 15 vjet. Dhe në prag të vitit të 85-vjetorit të Pavarësisë vendosa të realizoja një film të plotë dokumentar mbi jetën dhe veprën e I. Qemalit… Drejt filmit të ardhshëm më shtynte edhe dëshira përvëluese për të përdorur xhirimet që kisha realizuar në Stamboll me Sandër Prosin – Ismail Qemali, kuadro që nuk i përfshiva dot në “Nëntorin e dytë”…”, kujtonte Gjika.

Related Articles

Back to top button