112-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë! Flamuri ynë kombëtar ngrihet në Nju Jork
Kreu i Bashkisë së Nju Jorkut, Eric Adams ka mbajtur një ceremoni në Bowling Green në Lower Manhattan për të kujtuar ditën e 112-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Në faqen zyrtare të Bashkisë së Nju Jorkut, thuhet se eventi nxjerr në pah vlerësimin për diversitetin e qytetit që investon në të ardhmen për veten. Shqiptarët që janë vlerësuar gjatë ceremonisë kanë qenë Bera Mjeku, Fadil Berisha dhe Esad Gjonbalaj. Ata janë nderuar për ndikimin dhe kontributin e tyre në komunitet.
Të pranishëm në ceremoni kanë qenë sekretari i VATRA-s Dr. Pashko Camaj, ambasadori i Shqipërisë në SHBA, Ervin Bushati, Përfaqësuesja e Përhershme e Shqipërisë në OKB, Suela Janina, Shefi i Misionit të Kosovës në Nju Jork Blerim Reka, Këshilltari i Misionit të Kosovës Fatmir Zajmi, Ambasadorja e Vullnetit të Mirë të Vatrës Emina Çunmulaj Nazarian, Zëvendës Komisioneri i Zyrës së Kryetarit të Bashkisë COS për Çështjet ndërkombëtare Aissata Camara.
Lutja e hapjes u mbajt nga Imam Kukaj nga Qendra Islamike Shqiptaro-Amerikane e Staten Island.
Kryebashkiaku i Nju Jorkut Eric Adams ka përshëndetur të gjithë, duke ngritur flamurin shqiptar me atë amerikan. “Bashkohuni me mua dhe komunitetin tonë krenar shqiptar në Nju Jork, teksa ngremë flamurin e tyre përkrah tonit”, shkruan Adams.