112-vjetori i Policisë së Shtetit, ceremoni zyrtare në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier
Me rastin e 112-vjetorit të krijimit të Policisë së Shtetit, ditën e sotme, drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, Drejtues i Parë Skënder Hita, organizoi një ceremoni zyrtare në ambientet e DVP-së.
Në ceremoni morën pjesë Prefekti i Qarkut Fier, Kryetari i Bashkisë Fier, Kryetarja e Bashkisë Roskovec, Kryetarja e Këshillit të Qarkut Fier, drejtues i Prokurorisë Fier, Kryetarja e Gjykatës Fier, Sekretarja e Komisionit të Sigurisë Kombëtare, drejtues të institucioneve të ndryshme ligjzbatuese, veteranë dhe familjarë të punonjësve të policisë të rënë në krye të detyrës.
Gjatë fjalës së tij, Drejtor Hita shprehu mirënjohje për kontributin dhe sakrificën e punonjësve të Policisë së Shtetit, elemente të cilat kanë qenë thelbësore për vendin, mirëqenien e qytetarëve dhe për perspektivën europiane të Shqipërisë. Gjithashtu, drejtuesi i DVP Fier garantoi mbështetjen e tij absolute për punonjësit e Policisë së qarkut Fier, në çdo betejë kundër krimit.
Gjatë ceremonisë, Drejtori i DVP Fier përcolli dhe mesazhin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, me rastin e festës së Policisë. Mesazhi i Drejtor Proda-s përmbante urime dhe mbështetje, si dhe garanci se punonjësit e Policisë tashmë nuk janë vetëm në përballjet me krimin.
Më tej, gjatë ceremonisë zyrtare në qarkun Fier, u përkujtua vepra e Dëshmorëve të Policisë, si piedestal mbi të cilin ngrihet krenaria kombëtare dhe motivi për të bërë më shumë për qytetarët dhe rendin publik.
Gjithashtu, gjatë ceremonisë festive, 2 punonjësve dhe 2 veteranëve të Policisë së Fierit iu akorduan certifikata për shërbime të dalluara.
#112vjetPoliciaeShtetit
#FestaePolicisë
#Policiapranëjush
#Solidarëdhebashkëpunues