22 molotovë të sekuestruar dhe 16 policë të plagosur, 21 persona të arrestuar pas protestës në Tiranë

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka dhënë detaje lidhur me ngjarjet e ndodhura gjatë tubimit të zhvilluar më 10 shkurt 2026 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Në vijim të veprimeve hetimore të kryera nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit Nr. 1 arrestuan në flagrancë 21 shtetas, mes tyre edhe katër të mitur 17 vjeç.

Të arrestuarit akuzohen për veprat penale: “Goditja për shkak të detyrës”, “Plagosja e rëndë me dashje”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”.
Po ashtu, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. K., 32 vjeç, për “Prishja e rendit dhe qetësisë publike” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik”.
Procedim në gjendje të lirë ka nisur edhe për:
- E. M., sekretar organizativ i Partisë Demokratike, për “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme” dhe “Shtytja e të miturit në krim”;
- B. K., K. B., L. B. dhe F. N., anëtarë të Partisë Demokratike, për “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik” dhe “Shtytja e të miturit në krim”.
Ndërkohë, është shpallur në kërkim shtetasi L. P., 41 vjeç, dhe po punohet për kapjen e tij.
Sipas Policisë, protestuesit fillimisht janë mbledhur para Kryeministrisë dhe më pas janë zhvendosur drejt Kuvendit, ku gjatë zhvillimit të tubimit kanë hedhur mjete piroteknike, lëndë djegëse dhe sende të forta në drejtim të forcave të rendit dhe godinave shtetërore.
Si pasojë e përplasjeve, 16 punonjës policie kanë mbetur të dëmtuar dhe kanë marrë ndihmë mjekësore në spital, ndërsa ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 22 molotovë të pashpërthyer si dhe 3 shishe me lëndë të dyshuar djegëse (benzinë), të gjetura pranë Kuvendit.
Strukturat hetimore vijojnë punën për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në akte të dhunshme gjatë tubimit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.




