27-vjet nga masakra e Urës Vajgurore, përkujtohen katër efektivët e vrarë nga bandat kriminale
Kanë kaluar 27 vjet nga masakra e Urës-Vajgurore ku humbën jetën 4 policë. Efektivët mbetën të vrarë nga bandat kriminale brenda autoblindit të policisë. Ndërkohë pasditen e djeshme janë përkujtuar 4 efektivët e vrarë. Kurora e buqeta me lule u vendosën nga familjarë e efektivë policie në lapidarin kushtuar dëshmorëve: Arjan Shemuni, Miltjadh Koço, Asllan Selalmaj dhe Ilia Banaj.
Pas përplasjes me bandat kriminale mbetën të vrarë e të djegur brenda mjetit të blinduar të policisë 4 efektivët e policisë: Arjan Shemuni, Miltjadh Koço, Asllan Selalmaj dhe Ilia Banaj, ndërkohë 6 efektivët e tjerë: Thimi Tanku, Shkëlqim Selfaj, Ylli Dhamo, Neim Gjeroveni, Ëngjëllush Pasha dhe Arben Bega mbetën të plagosur rëndë. Drejtues të lartë të Drejtorisë Vendore të Policisë Berat dhe familjarë të policëve të vrarë në krye të detyrës kanë përkujtuar e nderuar të afërmit e tyre,duke vendosur kurora e buqeta me lule në lapidarin kushtuar 4 policëve që dhanë jetën në krye të detyrës.
Kryetari i shoqatës së veteranëve Dimal, Kristaq Tumani, ka theksuar se vepra e tyre heroike nuk do të harrohet kurrë. Zv/drejtori i DVP-së Berat, Luan Mema ka theksuar se vepra e tyre heroike do të mbahet mend gjatë, jo vetëm mes radhëve të policisë së shtetit për faktin se ata ishin efektivë policie por edhe në qytetin e Urës-Vajgurore, banorët e të cilës e panë me sytë e tyre luftën mes policisë dhe bandave kriminale që strehoeshin asokohe brenda vilës së Protoduarve.