350 vjedhje të banesave! Qytetet më problematike janë Tirana, Durrësi, Fieri dhe Vlora
Vetëm në dy ditët e fundit në vend janë shënuar 7 vjedhje 4 në biznese dhe 3 në banesa. Policia ka mundur të zbardhë ngjarjet dhe të vërë në pranga autorët por serish vjedhjet mbeten një problem.
Krahasuar me një vit më parë vërehet një ulje e rasteve por shqetësues është fakti se shumica e autorëve janë përsëritës apo rekrutojnë të mitur që ta kryejnë këtë vepër penale.
Tirana, Durrësi, Fieri dhe Vlora janë qytetet më problematike për sa i përket vjedhjes së banesave apo bizneseve.
Autorët targetojnë shtëpitë e pushimit apo të emigrantëve nga ku marrin para apo sende me vlerë. Këto vjedhje janë të vështira për tu identifikuar nga policia pasi vetë pronarët e konstatojnë vjedhjen me ditë apo javë me vonesë.
Nga janari deri në shtator në vendin tonë janë regjistruar 350 vjedhje nga të cilat policia ka mundur të zbardhë 150 raste dhe në pranga kanë rënë 270 persona.
Gjatë këtyre muajve policia është fokusuar të zbardhë dhe ngjarje të shkuara, kështu në 25 operacione të ndryshme janë zbardhur mbi 100 vjedhje të ndodhura gjatë dy viteve të kaluara.
Rasti më i fundit u shënua në kryeqytet ku u arrestuan dy 16-vjeçarë të cilët kishin grabitur 2 dyqane celularësh.
Të miturit u kapën duke drejtuar makinën pa patentë dhe të armatosur me një pistoletë.