41-vjeçari shqiptar Elton Bani humb jetën pas përdorimit të elektroshokut nga karabinierët në Itali

Një ngjarje tragjike ka ndodhur pasditen e së dielës në Sant’Olcese, në kodrat mbi Xhenova, ku Elton Bani, 41-vjeçari shqiptar me banim në Liguria, humbi jetën pasi u qëllua disa herë me armë elektroshoku gjatë një operacioni të karabinierëve.
Sipas mediave italiane, Bani kishte kohë që jetonte në zonë, duke punuar si murator bashkë me vëllain e tij. Jeta e tij ishte e thjeshtë, por jo pa vështirësi, pasi më herët kishte vuajtur një dënim njëmujor për falsifikim. Për komunitetin, ai njihej si një person i tërhequr, me momente të forta nervozizmi, por gjithmonë pranë familjes.
Ngjarja nisi pasditen e 17 gushtit, kur ai shfaqi shenja agjitacioni në oborrin e shtëpisë, duke hedhur objekte dhe karrige. Fillimisht, vullnetarët e Croce d’Oro tentuan ta qetësonin, por nuk ia dolën. Më pas ndërhynë karabinierët, të cilët u përpoqën ta bindnin të hynte brenda për të marrë dokumentet e identitetit. Në ato momente, 41-vjeçari reagoi me grushte e shqelma edhe pasi u prangos.
Një nga oficerët përdori armën me elektroshok tre herë. Goditja e fundit bëri që Bani të rrëzohej, të humbiste ndjenjat dhe më pas të mos mund të ringjallej, pavarësisht ndërhyrjes së gjatë të personelit mjekësor.
Mjeku ligjor Isabella Caristo konfirmoi se trupi kishte shenja të goditjeve të shumta me elektroshok, ndërsa shkaku përfundimtar i vdekjes pritet të përcaktohet nga autopsia.
Prokuroria e Gjenovës ka hapur një hetim për vrasje të paqëllimshme dhe dy karabinierët e përfshirë janë regjistruar si të dyshuar, një hap i domosdoshëm ligjor për pjesëmarrjen e tyre në procesin hetimor.
Rasti i Elton Banit ka ndezur debatin mbi përdorimin e armëve me elektroshok në Itali, veçanërisht pasi ndodhi vetëm pak orë pas një incidenti të ngjashëm në Olbia. Vdekja e tij ka sjellë reagime të forta politike dhe kërkesa për rishikimin e protokolleve të sigurisë, trajnimit dhe llogaridhënies së forcave të rendit.




