68-vjetori i Estradës së Fierit – Një udhëtim artistik me humor, traditë dhe emra të mëdhenj

Fier – Sot shënohet 68-vjetori i themelimit të Estradës Profesioniste të Fierit, një institucion i rëndësishëm kulturor që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në artin dhe humorin shqiptar. Kjo trupë teatrore, e themeluar më 5 maj 1957, është ndër institucionet më të vjetra të estradës në Shqipëri dhe ka kontribuar në zhvillimin e vetëdijes kombëtare artistike për më shumë se gjysmë shekulli.

Estrada e Fierit u krijua si trupë profesioniste duke përvetësuar traditat më të mira të humorit që kishin rrënjët në muzikën amatore të qytetit. Fillimisht, ajo përbëhej nga 14 aktorë, këngëtarë dhe instrumentistë, të përzgjedhur me kujdes nga grupet amatore të qytetit. Premiera e parë me titullin “Satirë, humor, muzikë” u mbështet në krijimtarinë e shkrimtarëve humoristë të njohur si Spiro Çomora, Polikron Kotini dhe Dionis Bubani, me regji të Llazar Verria.

Gjatë viteve, Estrada e Fierit ka realizuar shumë vepra të njohura komike si “Çfurku” dhe “Bodeci”, si dhe shfaqje të paharrueshme si: “Thumbojmë e pastrojmë”, “Nëpër fletët e historisë”, “Gaz pranveror”, “Xha Llazi midis nesh” dhe “Punojmë e vigjilojmë”. Një nga arritjet më të spikatura mbetet shfaqja “Çobo Rrapushi me shokë” në vitet ‘80, e bazuar në krijimtarinë e Shefqet Musaraj dhe e shquar për interpretimin e aktorit Luftar Paja.

Estrada e Fierit u bë model i vlerave të reja artistike dhe mbijetesës së teatrit estradë, duke përfshirë elemente origjinale, situata komike, gjuhë të përpunuar dhe gjetje regjisoriale të spikatura. Grupi i aktorëve të saj përfshinte emra të njohur si Luftar Paja, Fuat Boçi, Arqile Lipe, Todi Llupi, Xhuljeta Kulla, Vasil Vaso, Hasan Bregu, Sotir Stefa dhe Fatmir Xhelili.

Për më shumë se 50 vite, Estrada e Fierit ka realizuar mbi 150 premiera, duke mbajtur gjallë humorin dhe kulturën shqiptare në skenën artistike dhe duke frymëzuar breza të tërë artistësh dhe spektatorësh. Përveç aktorëve, në trupë kanë punuar edhe regjisorë, skenografë, dirigjentë dhe këngëtarë të njohur, si Lefteri Sillo, Sofika Hodo dhe Brunilda Hoxha.
Me figurat e njohura si Luftar Paja, Fuat Boçi, Todi Llupi Apo Arqile Lipe Estrada e Fierit mbetet një pikë referimi dhe një trashëgimi e rëndësishme në botën e teatrit dhe humorit shqiptar.
Gëzuar 68-vjetorin Estrada e Fierit!