75-vjeçari hidhet në Bunë, shpëtohet nga policia
Patrulla e Përgjithshme e Komisariatit të Policisë Shkodër gjatë patrullimit në territor, falë ndërhyrjes në kohë ka shpëtuar një shtetas i cili u hodh nga ura e lumit Buna për t’u vetëmbytur.
Punonjësit e Policisë kanë hyrë në lumin Buna dhe kanë nxjerrë shtetasin B. G, 75 vjeç, duke e dërguar në spitalin Rajonal Shkodër, për të marrë asistencën e nevojshme mjekësore.
NGJARJA
Dy efektivë të policisë vendore të Shkodrës Kristi Koçeku dhe Samet Qotaj kanë shpëtuar një shtetas 75-vjeçar i cili po mbytej në ujërat e lumit Buna.
75-vjeçari, i identifikuar si shtetasi Bahri Gërbeti, ishte hedhur në ujërat e ftohtë të lumit Buna për t’u vetëmbytur.
Menjëherë qytetarë të rastit kanë lajmëruar policinë për ngjarjen. Me shpejtësi kanë mbërritur dy efektivët të cilët sapo kanë shkuar në vendin e ngjarjes janë hedhur në ujë për t’i dhënë ndihmën e parë 75-vjeçarit.
Pasi ka dalë nga uji 75-vjeçari deklaroi se ishte hedhur në ujë për t’u mbytur, sepse kishte disa probleme.