Aksident në aksin Levan–Tepelenë, kamioni del nga rruga në Poçem. Drejtuesi kamionit dërgohet në spitalin e Fierit.

Një aksident rrugor është regjistruar mbrëmjen e kësaj të diele në aksin Levan–Tepelenë, në fshatin Poçem, ku një kamion i ngarkuar me fruta agrume (portokalle dhe mandarina) është përfshirë në një ngjarje aksidentale.
Sipas informacioneve paraprake, mjeti tip Volvo, me targa AA 859 SJ, ka dalë nga rruga për shkaqe ende të paqarta. Si pasojë e aksidentit, ka mbetur i lënduar drejtuesi i mjetit, shtetasi O. Rr., i cili është transportuar me ambulancë drejt spitalit për ndihmë mjekësore. Burime spitalore bëjnë me dije se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, pasagjeri O. Sh. ka qëndruar në vendin e ngjarjes dhe, fatmirësisht, nuk ka pësuar dëmtime apo probleme shëndetësore.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, zjarrfikësja dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për zbardhjen e shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit, si edhe për normalizimin e qarkullimit në këtë segment rrugor.




