Protestë në teatrin “Petro Marko” në Vlorë për mungesën e ujit, ndërpritet mbrëmja gala organizuar nga Bashkia
Një protestë ka shpërthyer mbrëmjen e sotme në ambientet e teatrit “Petro Marko” në Vlorë, si pasojë e mungesës së ujit prej tre ditësh në disa zona të qytetit.
Qytetarët protestues janë futur brenda ambienteve të teatrit, duke mbajtur në duar bidonë uji dhe pankarta, ndërsa kanë ndërprerë një mbrëmje gala që po zhvillohej aty. Ata kanë kërkuar me insistim rikthimin e furnizimit me ujë, duke refuzuar të largohen nga salla, çka solli pezullimin e aktivitetit artistik.
Pas ndërhyrjes në teatër, protestuesit kanë vijuar aksionin e tyre edhe në rrugë, ku kanë bllokuar përkohësisht qarkullimin e automjeteve, duke rritur tensionin dhe duke kërkuar reagim të menjëhershëm nga institucionet përgjegjëse.
Deri në këto momente, nuk raportohet për incidente, ndërsa pritet një reagim zyrtar nga autoritetet për situatën e krijuar dhe problematikën e furnizimit me ujë.




