Festa e Vitit të Ri u kthye në tragjedi në Gjirokastër/ Humbin jetën tre të rinj, mes tyre nipi i Gramoz Ruçit

Një aksident i rëndë rrugor ka kthyer festën e Vitit të Ri në tragjedi në orët e para të mëngjesit të 1 janarit, në aksin rrugor Gjirokastër–Tepelenë, ku kanë humbur jetën tre të rinj.
Një nga viktimat është Anxhelo Ruçi, 27 vjeç, djali i shefit të policisë Rami Ruçi dhe nip i ish-kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçit.
Sipas të dhënave paraprake, aksidenti ka ndodhur si pasojë e përplasjes së dy automjeteve. Në mjetin tip Volkswagen udhëtonin Klejdi Myftari, 24 vjeç, dhe Anxhelo Ruçi, 27 vjeç, të cilët kanë ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra.
Ndërkohë, në automjetin tjetër tip Mercedes-Benz udhëtonin Martin Dulaj, 25 vjeç, i cili ka humbur jetën në vendngjarje, si dhe Arsida Demiri, 19 vjeçe, e cila është transportuar drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për ndihmë më të specializuar.
Policia ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit tragjik.




