Aksident në rrethrrotullimin e Plugut, Lushnjë. Bllokohet përkohësisht trafiku
Një aksident rrugor është regjistruar në rrethrrotullimin e Plugut, në Lushnjë, ku dy automjete, një tip Benz dhe një Volkswagen, janë përplasur si pasojë e mosrespektimit të rregullave të qarkullimit.
Sipas informacioneve paraprake, në mjetin Benz udhëtonte një familje me katër persona, ndërsa në automjetin Volkswagen ndodhej një person i vetëm. Fatmirësisht, të përfshirët në aksident kanë pësuar vetëm dëmtime të lehta dhe nuk kanë pasur nevojë për trajtim spitalor.
Policia bën me dije se shkak i aksidentit ka qenë mosrespektimi i përparësisë në rrethrrotullim. Përplasja ka qenë e fortë, ku automjeti Volkswagen është rrotulluar, ndërsa Benz-i ka pësuar dëmtime të konsiderueshme në pjesën e përparme.
Si pasojë e aksidentit, trafiku në aksin nacional Lushnjë–Rrogozhinë u bllokua për rreth 30 minuta, duke shkaktuar radhë të automjeteve. Shërbimet e policisë ndërhynë për normalizimin e qarkullimit dhe po vijojnë punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.




