Roskovec e Frakull / Ngricat shkatërrojnë serat, fermerët pësojnë humbje të mëdha

Temperaturat ekstreme nën zero kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në serat e fermerëve të Roskovecit dhe Frakullës, duke tharë kultura perimore si kastraveci, domatja dhe luleshtrydhja. Ngricat e ditëve të para të vitit kanë goditur rëndë prodhimin bujqësor, duke shuar brenda pak orësh investimin dhe mundin e një viti të tërë pune.
Fermerët shprehen se kjo vjen pas një periudhe të vështirë, të shoqëruar me çmime të ulëta të produkteve bujqësore, përmbytje të përsëritura dhe paragjykim ndaj produktit vendas. Në këtë fillimvit, ngrica është kthyer në një tjetër goditje të rëndë, duke rrezikuar seriozisht të ardhurat dhe mbijetesën ekonomike të shumë familjeve që jetojnë nga bujqësia.
Sipas tyre, mungesa e mbështetjes dhe e mekanizmave mbrojtës ndaj fenomeneve natyrore po e bën gjithnjë e më të vështirë vijimin e aktivitetit bujqësor në zonë.




