Durrës – Ndërprerje e pjesshme e operacioneve portuale për shkak të motit të keq
Operacionet në Portin e Durrësit janë ndikuar këtë të shtunë, më 4 janar 2026, si pasojë e kushteve të pafavorshme atmosferike. Sipas njoftimit zyrtar të Autoritetit Portual Durrës, era e fortë ka sjellë ndërprerje të përkohshme të disa proceseve portuale.
Në Terminalin Perëndimor aktualisht nuk po përpunohen anije, ndërsa në Terminalin e Kontejnerëve vijon ndërprerja e procesit të ngarkim-shkarkimit për shkak të shpejtësisë së lartë të erës. Nga ana tjetër, në Terminalin e Trageteve operacionet janë zhvilluar normalisht, ku trageti Rigel VII është akostuar në orën 07:35 dhe AF Marina në orën 08:20.
Sipas të dhënave meteorologjike, shpejtësia e erës varion nga 15 deri në 18 metra për sekondë, me drejtim nga jugu. Autoriteti Portual Durrës bën me dije se po ndjek nga afër situatën dhe po bashkëpunon me të gjithë operatorët dhe institucionet përkatëse për të garantuar sigurinë e lundrimit dhe vijimësinë e shërbimeve.
Për çdo zhvillim të ri, autoritetet portuale do të vijojnë informimin në kohë reale.




