Përplasjet gjatë protestës së “Shqipëria Bëhet”, 5 persona përfundojnë te Trauma, mes tyre 2 efektivë

Tensione dhe përplasje u shënuan gjatë protestës së zhvilluar para Kryeministrisë mbëmjen e djeshme, e organizuar nga Lëvizja “Shqipëria Bëhet”, ku protestuesit u përplasën me efektivët e Policisë së Shtetit.
Situata u përshkallëzua në momentin kur disa protestues tentuan të thyenin kordonin policor, ndërsa policia ndërhyri për t’i larguar ata dhe për të vënë situatën nën kontroll.
Si pasojë e përplasjeve, pesë persona janë paraqitur mbrëmjen e djeshme në Spitalin Universitar të Traumës për ndihmë mjekësore, mes tyre edhe dy efektivë të Policisë së Shtetit. Njëri prej efektivëve ka lënë ambientet e spitalit pas marrjes së ndihmës mjekësore, ndërsa tjetri vijon të jetë i shtruar nën kujdesin e mjekëve.
Ndërkohë, kreu i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet” Adriatik Lapaj, i cili mbeti i plagosur gjatë protestës, pas ekzaminimeve të kryera raportohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën, por vijon të qëndrojë i hospitalizuar për trajtim të mëtejshëm mjekësor.
Gjithashtu, për ndihmë mjekësore janë paraqitur edhe dy protestues, të cilët kanë marrë trajtimin e nevojshëm dhe kanë lënë ambientet e spitalit, pasi ndodheshin jashtë rrezikut për jetën.




