Sot, Dita e Ujit të Bekuar/ Samuel Kola, 18-vjeçari nga Roskoveci, kap kryqin për të dytin vit radhazi në Fier
Besimtarët ortodoksë në qytetin e Fierit kanë festuar paraditen e sotme Ditën e Ujit të Bekuar. Me këtë rast, Kisha e Shën Gjergjit organizoi ceremoninë tradicionale të hedhjes së kryqit në ujë.
Procesioni nisi me meshën e shenjtë në kishë dhe më pas vargu i gjatë i besimtarëve u drejtua drejt shatërvanit në Sheshin “Europa”, ku, ashtu si çdo vit, u zhvillua riti i hedhjes së kryqit në ujë. Ceremonia u ndoq nga qindra besimtarë ortodoksë, si edhe nga qytetarë të shumtë.
Pavarësisht temperaturave të ulëta dhe reshjeve të shiut, disa të rinj u hodhën në ujë në momentin e hedhjes së kryqit, të motivuar për të fituar trofeun dhe bekimin. Kryqin e shenjtë e nxori nga uji 18-vjeçari Samuel Kola nga Roskoveci, për të dytin vit radhazi.
Më pas, ai ia dorëzoi kryqin Mitropolitit At Nikolla, i cili e bekoi sipas ritit fetar.

Kjo festë e rëndësishme për komunitetin ortodoks shënon Ditën e Shën Trinisë, duke përkujtuar pagëzimin e Krishtit në ujërat e Lumit Jordan nga Gjon Pagëzori. Sipas besimit, në këtë ditë të gjitha ujërat që rrjedhin janë të bekuara, ndaj shumë besimtarë marrin ujë të bekuar për ta ruajtur në shtëpi gjatë gjithë vitit, deri më 6 janar të vitit pasardhës.




