Policia e Fierit zbulon arsenal armësh dhe sasi e madhe droge në Roskovec, në pranga Asqeri dhe Adiol Hada, babë e bir.

Pas një muaji hetime me metoda proaktive, Policia e Fierit ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “New Start 2”, duke zbuluar një arsenal armësh dhe sasi të konsiderueshme lënde narkotike.
Operacioni u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve i DVP Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit, me mbështetjen e Forcave Operacionale dhe “Shqiponjave”.
Si rezultat i operacionit, u arrestua shtetasi Adiol Hada, 34 vjeç, banues në fshatin Suk, Roskovec, i dyshuar për ushtrimin e veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike dhe posedimit të armëve të zjarrit.
Gjatë ndërhyrjes policore, shërbimet e Policisë e kapën 34-vjeçarin në dalje të fshatit Suk, ku në automjetin e tij u gjet dhe u sekuestrua rreth 1 kg lëndë narkotike kanabis sativa, e ndarë në doza gati për shitje.
Kontrollet vijuan në banesën dhe lokalin në pronësi të tij dhe të babait të tij, ku u zbuluan dhe u sekuestruan:
- 17.6 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis sativa, e përpunuar dhe e ndarë në doza
- 2 armë zjarri pistoletë
- 2 armë zjarri automatike
- 2 granata luftarake
- 1110 fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm
- 2 aparate celularë
- 1 motomjet
Në vijim të veprimeve procedurale, u arrestua edhe Asqeri Hada, 61 vjeç, babai i 34-vjeçarit, pasi arsenali i armëve dhe një pjesë e lëndës narkotike u gjetën në pronësi të përbashkët.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme, për veprat penale:
- “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”
- “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municionit”
Policia, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.




