Balluku mbledh me urgjencë Shtabin e Emergjencave Civile në Fier: Vjosa mbetet zona më problematike
Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, ka mbledhur me urgjencë Shtabin e Emergjencave Civile në ambientet e Prefekturës së Fierit, për të analizuar situatën e përmbytjeve në qarkun Fier.
Gjatë mbledhjes, Balluku theksoi se situata më problematike paraqitet përgjatë lumit Vjosë, ku prurjet e larta kanë shkaktuar përmbytje dhe rrezik potencial për zona të banuara dhe sipërfaqe të konsiderueshme toke bujqësore.
Ministrja kërkoi angazhim maksimal nga të gjitha strukturat vendore dhe institucionet përgjegjëse për menaxhimin e emergjencave, duke nënvizuar domosdoshmërinë e prezencës së vazhdueshme në terren dhe ofrimin e ndihmës konkrete për qytetarët e prekur, veçanërisht në territorin e Bashkisë Fier.
Po ashtu, Balluku udhëzoi që njësitë vendore që aktualisht nuk paraqesin problematika nga përmbytjet të vihen në dispozicion të zonave më të prekura, duke ofruar mjete, forca njerëzore dhe mbështetje logjistike, me qëllim përballimin sa më efikas të situatës së krijuar.




