Ferras – Evakuohen familjet e rrezikuara nga përmbytjet

Të gjitha familjet e rrezikuara në fshatin Ferras janë evakuuar, pasi ujërat e lumit Vjosë kanë kaluar argjinaturën, duke shkaktuar vërshime në zonë. Lajmi u konfirmua nga zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, e cila ndodhet në terren dhe po monitoron nga afër situatën.
Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu deklaroi se prurjet e orëve të fundit kanë qenë të larta dhe kanë tejkaluar majën e argjinaturës, por theksoi se ajo vijon të jetë e qëndrueshme. Ndërkohë, kryebashkiaku i Fierit Armando Subashi bëri të ditur se, sipas matjeve të kryera në fshatin Kashisht, niveli i ujit ka rënë me 15 cm brenda një ore, rënie që pritet të reflektohet edhe në Ferras brenda 2–3 orëve në vijim.
Autoritetet vijojnë monitorimin dhe janë në gatishmëri për çdo përkeqësim të situatës.




