Gjykata lë në burg Arbër Xhaxhajn për aksidentin fatal pranë mbikalimit të plazhit

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për shtetasin Arbër Xhaxhaj, i cili u përfshi në aksidentin e ndodhur pranë mbikalimit të plazhit, ku si pasojë humbi jetën 18-vjeçarja Vikena Greku.
Çështja penale me Nr. 26 Akti kishte si objekt vlerësimin e ligjshmërisë së arrestit dhe caktimin e masës së sigurimit ndaj shtetasit A. Xh., i dyshuar për kryerjen e veprave penale:
- “Drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt”, parashikuar nga neni 291 i Kodit Penal;
- “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, parashikuar nga neni 290/3 i Kodit Penal.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës u përfaqësua nga prokurorja znj. Matilda Fetau, ndërsa çështja u shqyrtua nga gjyqtari i gatshëm z. Orgent Nazaj.
Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, me Vendimin Nr. 26, datë 17.01.2026, gjykata vendosi vleftësimin e ligjshëm të arrestit dhe caktimin e masës së sigurisë “Arrest në burg” ndaj Arbër Xhaxhajt.




