Malli për gjyshërit e ktheu në Shqipëri, 18-vjeçarja humbi jetën te Ura e Dajlanit

18-vjeçarja Vikena Greku, e cila humbi jetën dy ditë më parë në një aksident tragjik në Urën e Dajlanit në Durrës, jetonte prej disa vitesh në Gjermani së bashku me prindërit e saj, Vullnet dhe Valbona Greku, si dhe me vëllain e vogël.
Burime pranë familjes bëjnë me dije se Vikena ishte kthyer në Shqipëri për të vizituar gjyshërit e saj, të cilët jetojnë në fshatin Dyshnik të Beratit. Pas largimit të prindërve drejt Gjermanisë vite më parë, Vikena dhe vëllai i saj, Nevio, kishin qëndruar për një periudhë të gjatë me gjyshërit, ku edhe kishin ndjekur shkollën 9-vjeçare, deri në momentin kur prindërit mundën të plotësonin dokumentacionin për t’i marrë pranë tyre në Gjermani.
Familjarët tregojnë se Vikena kishte disa vite pa u kthyer në Shqipëri dhe malli për gjyshërit e kishte shtyrë të vizitonte vendlindjen, një udhëtim që fatkeqësisht përfundoi në tragjedi.
Sot, familja Greku ka hapur dyert e mortit për t’i dhënë lamtumirën e fundit vajzës së tyre, e cila u nda nga jeta në moshë shumë të re, duke lënë pas dhimbje të thellë te familjarët, të afërmit dhe të gjithë ata që e njihnin.




