Tragjedia hekurudhore në Spanjë/ Shkon në 41 numri i viktimave, dhjetëra të zhdukur dhe mbi 150 të plagosur

Operacionet e shpëtimit për viktimat e tragjedisë hekurudhore që goditi Spanjën kanë vijuar pa ndërprerje gjatë gjithë natës, ndërsa bilanci i viktimave është rënduar. Autoritetet spanjolle kanë konfirmuar se numri i të vdekurve ka shkuar në 41, ndërkohë që 43 persona rezultojnë ende të zhdukur.
Aksidenti i rëndë ndodhi në Adamuz, në rajonin e Andaluzisë, ku u përfshinë dy trena pasagjerësh. Më shumë se 150 persona kanë mbetur të plagosur, disa prej tyre në gjendje të rëndë, ndërsa ekipet e emergjencës vijojnë kërkimet mes rrënojave për gjetjen e trupave të tjerë.
Identifikimi i viktimave të nxjerra nga vendngjarja po vazhdon, ndërsa familjarët kanë bërë dhjetëra denoncime për persona të zhdukur që ndodheshin në trenat e aksidentuar. Autoritetet paralajmërojnë se bilanci mund të rritet në ditët në vijim, pasi operacionet e kërkim-shpëtimit janë ende në zhvillim.
Ministri i Brendshëm i Spanjës, Fernando Grande-Marlaska, deklaroi se operacionet do të vazhdojnë “derisa të rikthehet normaliteti”, duke theksuar se procesi mund të zgjasë disa ditë për shkak të nevojës për përdorimin e mjeteve të rënda për largimin e trenave nga shinat.
Mes tragjedisë, një histori e rrallë mbijetese ka prekur opinionin publik: një vajzë 6-vjeçare u gjet e gjallë dhe e padëmtuar mes rrënojave. Ajo udhëtonte me familjen e saj në trenin Alvia, por fatkeqësisht familjarët e saj kanë humbur jetën. Vajza u shpëtua nga ekipet e emergjencës dhe iu dorëzua gjyshërve të saj.
Në shenjë solidariteti dhe ngushëllimi, Mbreti Felipe VI dhe Mbretëresha Letizia pritet të vizitojnë sot vendin e aksidentit, për t’u shprehur ngushëllime familjeve të viktimave. Ata do të shoqërohen nga Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Financave, Maria Jesús Montero, duke anuluar angazhimet e tyre të mëparshme zyrtare.




