Cakrani me akuza të forta për 21 Janarin: Dyshime mbi autorësinë e vrasjeve dhe deklarata të rënda për Ziver Veizin. Vidhte unaza, ishte i dënuar dhe u soll nga Greqia për protestën

Avokati Kujtim Cakrani ka bërë deklarata të forta dhe polemike lidhur me ngjarjet e 21 Janarit, gjatë një interviste në televizionin A2, ku ka hedhur akuza ndaj ish-kreut të opozitës së asaj kohe, Edi Rama, si edhe ka ngritur dyshime mbi autorësinë e vrasjeve të protestuesve.
Cakrani u ndal veçanërisht te figura e Ziver Veizit, një nga katër viktimat e protestës, për të cilin pretendoi se kishte precedentë penalë në Greqi dhe se ishte sjellë në Shqipëri enkas për të nxitur trazira. Sipas tij, Veizi kishte vite që nuk jetonte në Shqipëri, pasi ishte dënuar nga drejtësia shqiptare për vjedhje, me vendim të formës së prerë.
“Ishte një kryengritje e armatosur për të rrëzuar rendin kushtetues, donin një ’97 të dytë. Ziver Veizi kishte rreth 20 vite që nuk vinte në Shqipëri, sepse ishte dënuar për vjedhje. Vendimi është dhënë nga gjyqtari Gramoz Levanai, kur ishte në detyrë në Gjirokastër. Ai erdhi apostafat nga Greqia vetëm për protestën. Unë mbaj përgjegjësi për ato që them”, deklaroi Cakrani.
Avokati hodhi gjithashtu dyshime mbi faktin se kush janë autorët realë të vrasjeve, duke thënë se nuk është e qartë nëse viktimat u qëlluan nga Garda e Republikës apo nga struktura të tjera politike.
“PS është parti që do heronj, i nxorën në pritë Edi Rama dhe Taulant Balla”, u shpreh Cakrani, duke kërkuar që çështja të hetohet nga fillimi dhe të vihet drejtësi për ngjarjen.
Ai bëri të ditur gjithashtu se ish-presidenti Ilir Meta ka dëshmuar në SPAK për rreth një orë, ku ka dhënë versionin e tij për 21 Janarin. Sipas Cakranit, Meta kishte dijeni paraprake për rrezikun e protestës, pasi ishte paralajmëruar nga shërbime të huaja se ngjarja mund të degjeneronte dhe të kishte viktima.
Në fund, Cakrani e cilësoi si të montuar edhe videon e publikuar nga Dritan Prifti, duke pretenduar se ajo ishte pjesë e një skenari politik që, sipas tij, çoi në ngjarjet tragjike të 21 Janarit.




