55-vjeçarja Vera Jaupaj, gruaja që “bën art” me hekurin: Prej gati 4 dekadash saldatore në industrinë e naftës

Prej afro katër dekadash, 55-vjeçarja Vera Jaupaj ushtron profesionin e saldatorit, duke punuar në disa nga sektorët më të rëndësishëm të industrisë së naftës. Ajo është ndër të paktat gra në Shqipëri që kanë zgjedhur dhe vijojnë të ushtrojnë këtë profesion të vështirë, që kërkon profesionalizëm dhe përgjegjësi të lartë.
Pas përfundimit të shkollës profesionale në Kuçovë, vetëm 16 vjeçe, Vera Jaupaj nisi punën në një prej ndërmarrjeve ku prodhoheshin pajisje për industrinë e naftës. Më pas, ajo u emërua në Ndërmarrjen e Agregateve në Patos, ku me kalimin e viteve rriti shkallën e profesionalizmit dhe u angazhua në punë gjithnjë e më të vështira dhe me përgjegjësi të madhe.
Edhe pas më shumë se 38 vitesh pune, Vera Jaupaj vazhdon të ushtrojë profesionin e saj me të njëjtin pasion, duke e konsideruar saldimin si një formë arti me hekurin.
55-vjeçarja ka edhe një mesazh për të rinjtë, duke theksuar se profesioni i saldatorit sot nuk frekuentohet mjaftueshëm, ndërkohë që tregu i punës ka nevojë për specialistë të kualifikuar dhe mundësitë e punësimit janë të mëdha.




