Ndërron jetë në moshën 82-vjeçare aktori i njohur Fitim Makashi

Arti dhe skena shqiptare kanë humbur një nga emrat e tyre të spikatur. Ka ndërruar jetë në moshën 82-vjeçare aktori i njohur Fitim Makashi, babai i muzikantit Redon Makashi.
Fitim Makashi lindi më 10 prill 1944 në Gjirokastër. Studimet për aktrim i nisi në vitin 1963 në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, të cilat i përfundoi në vitin 1967. Për një periudhë të gjatë ai punoi si pedagog në ILA, duke kontribuar në formimin e brezave të rinj të aktorëve, ndërsa paralelisht pati angazhime të herëpashershme në Teatrin Popullor (sot Teatri Kombëtar).
Në vitin 1978 u emërua zyrtarisht aktor i Teatrit Popullor, ku zhvilloi karrierën e tij artistike për rreth 12 vjet, deri në mesin e viteve ’90. Gjatë kësaj kohe interpretoi një sërë rolesh të rëndësishme që lanë gjurmë në skenën teatrore shqiptare, mes të cilave: Pedagogu në “Pas provimit të dytë”, Drejtori i fermës në “Ata që duhen”, Beni në “Vdekja e një komisioneri”, Bedriu në “Dritat e skenës”, Telhai në “Besa”, si dhe Filipoviç në shfaqjen “Inspektori”, që konsiderohet edhe roli i tij i fundit në teatër.
Në kinematografi, Fitim Makashi u shfaq për herë të parë në vitin 1967 me një rol episodik si marinar në filmin “Dueli i heshtur”. Më pas, ai interpretoi në dhjetëra filma të njohur të kinemasë shqiptare, ndër të cilët: “Prita” (1968), “Njësiti gueril” (1969), “Ndërgjegjja” (1972), “Rugicat që kërkonin diell” (1975), “Në fillim të verës” (1975), “Ilegalët” (1976), “Nga mesi i errësirës” (1978), “Intendenti” (1980), “Gjurmë në kaltërsi” (1981), “Tre njerëz me guna” (1985), “Shpella e piratëve” (1991) dhe “Vdekja e kalit” (1992).
Ndarja nga jeta e Fitim Makashit lë një boshllëk të madh në artin shqiptar, ndërsa kujtimi dhe kontributi i tij do të mbeten të gjalla në skenë dhe ekran




