Prej 29 ditësh i zhdukur, gjendet trupi i pajetë i Jurgen Karajt

Pas 29 ditësh kërkimesh intensive, është gjetur trupi i pajetë i Jurgen Karajt, i cili ishte raportuar i zhdukur prej fillimit të muajit janar. Trupi u lokalizua nga ekipet e kërkim-shpëtimit në liqenin e Ulzës ku prej javësh po zhvilloheshin operacione të pandërprera nga autoritetet.
Jurgen Karaj u zhduk pas një aksidenti rrugor, ku automjeti me të cilin udhëtonte përfundoi në një përrua. Dyshohet se ai është marrë nga rrjedha e ujit, ndërsa kërkimet janë shtrirë përgjatë zonës përreth dhe rrjedhës së lumit deri në liqenin e Ulzës.
Në operacionet e kërkimit janë angazhuar forca të Policisë së Shtetit, shërbimet zjarrfikëse, Forcat e Armatosura, polumbarë dhe mjete të specializuara, përfshirë dronë dhe pajisje nënujorë.
Autoritetet bëjnë me dije se po kryhen procedurat ligjore për identifikimin përfundimtar dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa familjarët janë njoftuar për gjetjen e trupit.




