Apolonia ndal Pogradecin, Laçi afrohet me Skënderbeun – zhvillohet java e 21-të e Kategorisë së Parë

U zhvilluan sot katër ndeshjet e vlefshme për javën e 21-të të Kategorisë së Parë, ku nuk munguan surprizat dhe ndryshimet në renditje. Apolonia arriti të ndalë Pogradecin në barazim 2-2, ndërsa Skënderbeu u frenua pa gola nga Korabi, duke humbur terren në garën për kreun.
Laçi vijon formën pozitive, teksa triumfoi minimalisht 0-1 në transfertë ndaj Lushnjës. Me këtë fitore, kurbinasit ngjiten në vendin e dytë dhe tashmë ndodhen vetëm 3 pikë larg kryesuesve të Skënderbeut.
Pavarësisht barazimit, Pogradeci mban vendin e tretë në renditje, por me 5 pikë më pak se Laçi. Zona “play off” plotësohet nga Kastrioti, Burreli dhe Iliria, të cilat mbeten në garë të hapur për objektivat sezonale.
Në vendin e shtatë ndodhet Besa, me shanse konkrete për t’u futur në zonën “play off”, pasi nesër do të zhvillohen dy përballje vendimtare: Besa–Luftëtari dhe Burreli–Iliria, të dyja të planifikuara për në orën 13:30.
Korabi dhe Apolonia, me pikë të barabarta, ndajnë vendet e tetë dhe të nëntë, ndërsa Lushnja mbetet në zonën “play out”. Renditja mbyllet nga Luftëtari dhe Kukësi, me këta të fundit që janë shkëputur ndjeshëm nga pjesa e sipërme e tabelës.
Rezultatet e javës së 21-të – 7 shkurt 2026:
- Apolonia–Pogradeci 2-2
- Kastrioti–Kukësi 2-1
- Korabi–Skënderbeu 0-0
- Lushnja–Laçi 0-1
Ndeshjet e 8 shkurtit 2026:
- Ora 13:30 Besa–Luftëtari
- Ora 13:30 Burreli–Iliria





