Fier, 90 vjet teatër: Një histori që nisi në vitin 1936 dhe vijon ende sot

Fieri shënon 90-vjetorin e lindjes së teatrit, një rrugëtim i gjatë artistik që nisi më 8 shkurt 1936 me shfaqjen e parë teatrale në qytet. Në atë kohë, një grup të rinjsh të apasionuar pas artit skenik sollën për publikun fierak dramën “Fe e kombësit” të autorit Kristo Floqi, duke hedhur themelet e traditës teatrore në qytet.
Trupa teatrale përbëhej nga aktorë amatorë, mes tyre Avdulla Rama, Mina Veshi, Llaqi Kola, Hysen Xheka, Jorgji Koshovari, Jorgji Panda, Jorgji Andrea, Sotir Argjendari, Stavri Poro, Andon Poro, Zoi Gjerazi, Nasi Bogo dhe Paskal Pogaçe. Regjia e shfaqjes iu besua mësuesit Llaqi Kola, i diplomuar në Shkollën Normale të Elbasanit, i cili kishte nisur angazhimin në teatër që gjatë viteve të studimeve.
Me këtë vepër u realizua edhe turneu i parë artistik i trupës, në qytetet fqinje të Lushnjës dhe Beratit. Gjatë viteve 1937–1938, në skenë u vunë edhe komedia e Molierit “Doktor pa dorashka” si dhe drama “Lulja e kujtimit” e Foqion Postolit. Në vitin 1938, aktiviteti teatror u ndërpre, duke mbyllur fazën e parë të lindjes së teatrit në Fier.
Pas Çlirimit, arti skenik do të njohë zhvillime të reja. Në vitin 1945 rifilluan aktivitetet teatrore mbi baza amatore, ndërsa në vitin 1947 u krijua Teatri Dramatik pranë Shtëpisë së Kulturës, duke e çuar dramaturgjinë fierake në një stad më të lartë.
Kjo traditë do të kulmonte me themelimin e Estradës në vitin 1957 dhe krijimin e Teatrit “Bylis” në vitin 1971. Po atë vit u themelua edhe Teatri i Kukullave, i cili më vonë mori emrin e regjisorit të tij të parë, Llazar Verria.
Fotografitë e ruajtura nga këto etapa mbeten dëshmi e gjallë e një historie teatrore që nisi 90 vjet më parë dhe që vazhdon të jetojë në skenë, në kujtesë dhe në shpirtin artistik të qytetit të Fierit.




