Sherr masiv mes dy grupeve shqiptare në Athinë, 26 të përfshirë dhe tre të plagosur rëndë

Një përleshje e dhunshme mes dy grupeve shqiptare ka tronditur qendrën e Athinës, duke lënë tre të rinj të plagosur rëndë dhe 26 persona të përfshirë në konflikt.
Sipas mediave greke, gjatë sherrit janë përdorur thika, shkopinj, leva dhe grushte hekuri. Si pasojë e dhunës, tre të rinjtë kanë marrë plagë të rënda në gjoks, pranë zemrës, dhe janë transportuar me urgjencë në spital, ku ndodhen nën kujdesin e mjekëve.
Burime nga policia bëjnë me dije se shkaku fillestar i konfliktit dyshohet të ketë qenë një vajzë. Megjithatë, hetimet paraprake kanë ngritur dyshime se motivi i vërtetë lidhet me kontrollin e trafikut të drogës në zonë, nisur edhe nga provat e gjetura gjatë kontrolleve në banesat e të dyshuarve.
Gjatë operacionit, policia ka sekuestruar:
- 97 gramë kanabis të papërpunuar
- 52 gramë kokainë
- 51 gramë metamfetaminë
- 6 thika
- një peshore elektronike precize
Autoritetet greke vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për identifikimin e përgjegjësive të secilit prej të përfshirëve.




