Vetëplagoset me armë zjarri 18-vjeçarja, familjarët dyshohet se pastruan vendin e ngjarjes dhe fshehën provat

Një ngjarje e rëndë është zbardhur pas hetimeve, ku një 18-vjeçare dyshohet se është vetëplagosur me armë zjarri, ndërsa familjarët akuzohen se kanë tentuar të fshehin rrethanat reale të ngjarjes.
Sipas të dhënave hetimore, e reja ka qenë vetëm në dhomën e gjumit në momentin kur ka marrë armën dhe ka qëlluar veten. Në atë kohë, Sajmir Gjuta dhe Erisjaldo Gjuta kanë qenë jashtë dhe kanë dëgjuar të shtënat.
Pasi kanë hyrë në dhomë dhe kanë parë vajzën të vetëplagosur, ata kanë njoftuar anëtarët e tjerë të familjes, konkretisht Mirvete Gjuta dhe Vladimir Gjuta. Dyshohet se më pas është marrë vendimi për të pastruar vendin e ngjarjes, duke fshehur armën dhe duke larë gjurmët e gjakut.
Ndërkohë, sipas hetimeve, Elvir Gjuta së bashku me Mirveten janë nisur me automjet për ta dërguar të renë në spital, duke u porositur që të deklaronin se vajzën e kishin gjetur të shtrirë pranë rrethit të Ekonomikut.
Pas verifikimeve, rezultoi se ngjarja kishte ndodhur në hotelin në pronësi të familjes. Burime nga hetimi bëjnë me dije se 18-vjeçarja dyshohet se kishte tentuar edhe më herët të vetëdëmtohej.
Në lidhje me rastin vijojnë veprimet hetimore për të sqaruar plotësisht rrethanat dhe përgjegjësitë ligjore të personave të përfshirë.




