VIDEO/ Aksident i frikshëm në Qafën e Koshovicës – makina shpërthen në flakë, humb jetën 17-vjeçari

Fieri Web ka siguruar momentet e aksidentit të rëndë të ndodhur në Qafën e Koshovicës, në aksin Levan–Fier, ku pas përplasjes një nga mjetet është përfshirë nga flakët.
Ngjarja ka ndodhur më 8 gusht 2025. Në aksident u përfshi mjeku italian Michele D’Angelo, 44 vjeç, profesor biologjie në Universitetin e Aquilës, Itali, si dhe një mjet tjetër që drejtohej nga shtetasi shqiptar E.S.
Si pasojë e përplasjes humbi jetën 17-vjeçari Elidon Shehaj, i cili ndërroi jetë disa ditë më vonë në Spitalin e Traumës në Tiranë, ndërsa tre persona të tjerë mbetën të plagosur.
Sipas hetimeve paraprake, në aksident janë përfshirë një automjet tip “Lancia Ypsilon”, i drejtuar nga D’Angelo, dhe një “Mercedes”, që drejtohej nga shtetasi shqiptar. Dyshohet se drejtuesi i mjetit “Mercedes” ka humbur kontrollin, ndërsa lëvizte me shpejtësi mbi normat e lejuara.
Pas ngjarjes, profesori italian u paraqit në polici një ditë më vonë. Ai u mbajt në paraburgim për dy muaj, nën akuzat për “Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largim nga vendi i aksidentit”. Aktualisht, ai është liruar, ndërsa Prokuroria e Fierit ka mbyllur hetimet dhe pritet t’i komunikojë zyrtarisht akuzën.
Në një konferencë për mediat në Tiranë, avokatët e D’Angelo kundërshtuan akuzat, duke pretenduar se klienti i tyre ka zbatuar rregullat e qarkullimit dhe nuk është përgjegjës për ngjarjen. Avokatja Ilenja Mëhilli shpjegoi skemën e aksidentit dhe mohoi që ai të jetë larguar nga vendi i ngjarjes. Ndërsa avokati Ardian Visha deklaroi se D’Angelo është interesuar vazhdimisht për situatën dhe është i gatshëm të japë shpjegime në çdo moment.




