Gjendet motomjeti i 42-vjeçarit pranë kanioneve të Osumit, dyshohet se është hedhur në lumë

Berat – Drejtoria Vendore e Policisë Berat ka dhënë informacion paraprak lidhur me zhdukjen e një 42-vjeçari nga Skrapari.
Sipas njoftimit zyrtar, ditën e djeshme familjarët kanë kallëzuar se shtetasi I. K., 42 vjeç, banues në Skrapar, ishte larguar nga banesa dhe nuk ishte kthyer më.
Menjëherë pas kallëzimit, shërbimet e Policisë kanë nisur kërkimet, ndërsa gjatë kontrolleve kanë gjetur pranë kanioneve të lumit Osum, në vendin e quajtur “Ura e Blezënkes”, motomjetin dhe sendet personale të 42-vjeçarit.
Paraprakisht dyshohet se ai mund të jetë hedhur në lumë, ndërsa vijojnë kërkimet intensive për gjetjen e tij.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Beratit për veprime të mëtejshme, ndërkohë që hetimet vazhdojnë për të dokumentuar plotësisht rrethanat e rastit.




