E rëndë: Gjendet i pajetë një 25-vjeçar shqiptar, dyshohet për v*asje

Një ngjarje e rëndë është shënuar në Santa Vittoria d’Alba, ku është gjetur trupi i pajetë i një 25-vjeçari shqiptar.
I riu, që dyshohet të ketë qenë banues në zonë, u gjet në një parcelë toke pranë një automjeti tip Lancia Ypsilon me ngjyrë të zezë, që besohet të ketë qenë në pronësi të tij.
Trupi është konstatuar nga një drejtues mjeti që kalonte rastësisht në zonë, i cili ka njoftuar menjëherë autoritetet.
Deri më tani nuk ka një konfirmim zyrtar për shkaqet e vdekjes, por dyshohet se 25-vjeçari mund të ketë humbur jetën si pasojë e një plumbi në kokë. Arma nuk është gjetur në vendngjarje, duke shtuar dyshimet për një vrasje.
Sipas informacioneve paraprake, trupi është gjetur pjesërisht i mbuluar me rërë, çka e bën edhe më misterioze ngjarjen. Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë.




