Dy letra mirënjohjeje nga Policia e Kentit për Policinë e Shtetit, për arrestim për vrasje dhe identifikimin e autorit të 33 vjedhjeve, me anë të ADN-së

Strukturat e Policia e Shtetit janë vlerësuar me dy letra mirënjohjeje nga Policia e Kentit në Mbretërinë e Bashkuar, për profesionalizmin dhe bashkëpunimin e treguar në dy operacione të rëndësishme hetimore dhe operacionale.
Rasti i parë lidhet me arrestimin e shpejtë në Tiranë të shtetasit të akuzuar për vrasje, A. Sh., në kuadër të operacionit të koduar “Operacionalja 81”. Sipas autoriteteve britanike, kapja e tij nuk do të kishte qenë e mundur pa bashkëpunimin e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSh, duke shprehur falënderime të sinqerta për mbështetjen në lokalizimin dhe ndalimin e të dyshuarit.

Rasti i dytë ka të bëjë me operacionin “Boomerang”, ku ekspertiza e Institutit të Policisë Shkencore pranë Policisë së Shtetit ka qenë vendimtare. Përmes analizës së ADN-së dhe të dhënave në databazën “CODIS”, u realizua përputhja familjare (Familiar Match), që çoi në identifikimin e shtetasit G. U., 29 vjeç, banues në Kurbin, i dyshuar për përfshirje në 33 raste vjedhjesh të ndodhura në zona të ndryshme të Mbretërisë së Bashkuar gjatë viteve 2023–2025.
Sipas Policisë së Kentit, analiza e të dhënave të ADN-së ka qenë kyçe për dokumentimin ligjor të veprimtarisë kriminale, ndërsa në letrat e mirënjohjes është theksuar se bashkëpunimi i ndërsjellë mbetet thelbësor për parandalimin dhe zbulimin e krimeve që dëmtojnë komunitetet.
Në përfundim, autoritetet britanike kanë vlerësuar edhe rolin e Oficerit Ndërlidhës të Policisë shqiptare, për koordinimin dhe finalizimin me sukses të veprimeve të përbashkëta hetimore.




