Berat/ Arrestime dhe procedime penale për disa shtetas për vepra të ndryshme penale

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Berat kanë ndërmarrë disa veprime procedurale ndaj disa shtetasve për vepra të ndryshme penale.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kuçovë ndaluan shtetasin A. H., 35 vjeç, banues në Kuçovë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Berat e ka dënuar me 6 muaj burgim për veprën penale “Përndjekja”.
Ndërkohë, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Dimal arrestuan në flagrancë shtetasin F. M., 56 vjeç, banues në fshatin Rërëz, Dimal, pasi dyshohet se ka dhunuar varrin e ish-bashkëshortes së tij.
Gjithashtu, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Berat referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin B. M., 55 vjeç, banues në Berat, pasi dyshohet se për motive të dobëta ka kanosur një 38-vjeçare.
Ndërsa specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Poliçan referuan materialet në Prokurori dhe nisën procedimin në gjendje të lirë për shtetasit:
- N. Z., 46 vjeç, banues në Poliçan, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”;
- Z. F., 18 vjeç dhe një 16-vjeçar, të dy banues në Poliçan, pasi dyshohet se janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin për motive të dobëta.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Beratit për veprime të mëtejshme.




