Aksident tragjik në aksin Levan–Tepelenë, humb jetën një 39-vjeçare

Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar mëngjesin e sotëm në aksin Levan–Tepelenë, në vendin e quajtur kthesa e Varibopit, ku për pasojë ka humbur jetën një grua.
Sipas informacionit paraprak nga policia, rreth orës 07:20, shtetasja N. A., rreth 39 vjeçe, duke drejtuar automjetin tip “Kia”, është përfshirë në një aksident me një automjet tip “Benz”, që drejtohej nga shtetasi P. M.
Si pasojë e përplasjes së fortë, 39-vjeçarja ka ndërruar jetë në vendngjarje. Ndërkohë, drejtuesi i mjetit tjetër P. M. dhe pasagjeri që ndodhej në automjetin tip “Benz”, S. R., janë transportuar në spital për ndihmë mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të këtij aksidenti.




