Aeroporti i Vlorës drejt hapjes, pritet të nisë operimet mes 10 dhe 20 qershorit

Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës duket se po hyn në fazën përfundimtare drejt hapjes. Burimet bëjnë me dije se, pas takimeve të zhvilluara gjatë ditëve të fundit mes të dërguarve të kryeministrit, strukturave përkatëse dhe administratorëve të aeroportit, është konfirmuar se aeroporti pritet të hapet në periudhën 10–20 qershor.
Sipas të njëjtave burime, në këto takime është diskutuar për hapat e fundit teknikë dhe organizativë që duhet të përmbushen përpara nisjes së operimeve, ndërsa po punohet për finalizimin e procedurave dhe koordinimin me institucionet përgjegjëse.
Hapja e aeroportit pritet të sjellë një ndikim të rëndësishëm në zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë në Vlorë dhe në gjithë jugun e Shqipërisë, duke rritur aksesin e turistëve dhe lidhjet ajrore gjatë sezonit veror.




