Arrestohet drejtuesi i furgonit për aksidentin fatal në aksin Levan–Tepelenë ku humbi jetën 39-vjeçarja

Policia e Fierit ka arrestuar drejtuesin e automjetit tip “Benz”, të përfshirë në aksidentin e rëndë rrugor që ndodhi në aksin Levan–Tepelenë, ku humbi jetën një 39-vjeçare.
Sipas njoftimit të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, në vijim të hetimeve për aksidentin ku humbi jetën shtetasja N. A., 39 vjeçe, e cila drejtonte një automjet tip “Kia”, specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan shtetasin P. M., 57 vjeç, drejtues i automjetit tip “Benz”.
Ai akuzohet për veprën penale “Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen.
Aktualisht, drejtuesi i “Benz”-it dhe pasagjeri që ndodhej në mjetin e tij, shtetasi S. R., ndodhen në spital duke marrë ndihmë mjekësore dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.




