Rriten çmimet e karburanteve në Fier / Nafta +10-15 lekë, benzina +9-12 lekë dhe gazi +6-9 lekë për litër

Një rritje e çmimeve të karburanteve është konstatuar sot në pothuajse të gjitha pikat e shitjes me pakicë në Fier.
Sipas një monitorimi të kryer nga FieriWeb në disa pika karburanti në qytet, vihet re një rritje e konsiderueshme e çmimeve për të gjitha llojet e karburanteve.
Rritje ka pësuar edhe gazi, i cili është shtrenjtuar mesatarisht me 6 deri në 9 lekë për litër. Po ashtu, benzina ka shënuar një rritje nga 9 deri në 12 lekë për litër, ndërsa nafta është rritur nga 10 deri në 15 lekë për litër.
Sipas tregtarëve të karburanteve, kjo rritje po justifikohet me situatën ndërkombëtare dhe ndikimin e konflikteve ushtarake në tregjet globale të naftës, të cilat kanë sjellë luhatje të çmimeve në bursat ndërkombëtare.
Ndryshimet në çmime janë reflektuar pothuajse në të gjitha pikat e karburanteve në qytet, ndërsa mbetet për t’u parë nëse kjo rritje do të vijojë edhe në ditët në vijim.




