Tiranë / Operacioni “Rotondo”, goditet grupi që trafikonte a*më nga Mali i Zi – sekuestrohen 6 pist*leta

Një operacion policor i zhvilluar pas një hetimi dymujor ka çuar në goditjen e një grupi kriminal të përfshirë në trafikimin dhe shitjen e armëve të zjarrit në Tiranë.
Si rezultat i operacionit të koduar “Rotondo”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale dhe në koordinim me Prokurorinë e Tiranës, arrestuan në flagrancë dy persona që transportonin armë zjarri me automjet.
Në pranga ranë shtetasit D. J., 31 vjeç, banues në Shkodër, dhe F. Gj., 22 vjeç, banues në Domje.
Automjeti tip “Volkswagen”, që drejtohej nga 22-vjeçari, u ndalua për kontroll në zonën e njohur si “Rrethi i Freskut”. Gjatë kontrollit në mjet, policia gjeti dhe sekuestroi 6 pistoleta të markës “Sig Sauer”, të dyshuara se ishin trafikuar nga Mali i Zi me qëllim shitjen, kryesisht në zonën e Freskut.
Gjithashtu u sekuestruan automjeti dhe 4 telefona celularë.
Në vijim të hetimeve është identifikuar dhe shpallur në kërkim një bashkëpunëtor, shtetasi E. S., ndërsa policia po vijon punën për kapjen e tij dhe për zbardhjen e plotë të rrjetit kriminal.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.




