Berat / Përplasi me makinë një biçiklist dhe u largua nga vendi i aksidentit, arrestohet 19-vjeçari

Policia e Beratit ka arrestuar një 19-vjeçar që përplasi me automjet një biçiklist dhe më pas u largua nga vendi i aksidentit për t’i shpëtuar përgjegjësisë penale.
Ngjarja ndodhi më 8 mars 2026, në aksin rrugor “Dimal–Berat”, ku një automjet përplasi biçikletën me të cilën lëvizte shtetasi R. T., 42 vjeç.
Pas hetimeve të kryera nga shërbimet e Policisë Rrugore, u bë i mundur identifikimi, lokalizimi dhe arrestimi i autorit të dyshuar, shtetasit H. M., 19 vjeç, banues në fshatin Vërtop, Poliçan.
Sipas policisë, i riu pasi përplasi biçikletën me automjet, u largua nga vendi i aksidentit, ndërsa gjatë veprimeve hetimore u gjet dhe u sekuestrua automjeti tip “Fiat” me të cilin dyshohet se u shkaktua aksidenti.
42-vjeçari i plagosur ndodhet në Spitalin e Traumës, nën kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Beratit, për veprime të mëtejshme.




