Dyshime për abuzim me faturat e barnave, “Rejsi Farma” akuzohet se tentoi të përfitojë dyfish pagesa nga Spitali i Fierit

Kompania Rejsi Farma akuzohet se ka tentuar të përfitojë dyfish pagesa nga buxheti i shtetit për furnizimin me barna të rimbursueshme në spitale. Sipas dokumenteve, kompania ka lëshuar fatura të reja për periudha që rezultojnë të jenë paguar më parë nga institucionet shëndetësore.
Bëhet fjalë për periudhën mars – korrik 2025, gjatë së cilës kompania dyshohet se ka kërkuar pagesë për një faturë prej rreth 120 milionë lekësh të vjetra, ndonëse këto detyrime sipas dokumentacionit rezultojnë të jenë likuiduar në fund të çdo muaji nga Spitali Rajonal i Fierit, në bazë të konsumit mujor të medikamenteve dhe akteve të rakordimit.
Madje, përmes një vendimi të Gjykata e Fierit, kompania ka tentuar të ekzekutojë këto fatura përmes përmbarimit privat, duke sjellë në një moment edhe bllokimin e llogarisë bankare të Spitalit Rajonal të Fierit.
Kjo situatë është kundërshtuar nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe nga vetë spitali, të cilët kanë depozituar padi në gjykatë, duke kërkuar pezullimin e vendimit të parë dhe pavlefshmërinë e titullit ekzekutiv për faturat e pretenduara nga kompania.
Të dy institucionet kanë paraqitur në gjykatë dokumentacionin përkatës, përfshirë faturat mujore të likuiduara dhe aktet e rakordimit, që sipas tyre provojnë se pagesat janë kryer rregullisht.
Në një seancë gjyqësore të zhvilluar në Tirana në fillim të muajit shkurt, gjyqtari Aurel Arapi ka vendosur pezullimin e vendimit të Gjykatës së Fierit, duke ndalur për momentin ekzekutimin përmes përmbaruesve privatë të faturave të lëshuara nga kompania “Rejsi Farma”.
Sipas pretendimeve të institucioneve paditëse, kompania ka tentuar të përfitojë në mënyrë të pajustifikuar pagesa të dyfishta nga fondet publike të destinuara për rimbursimin e barnave spitalore në rrethe. Çështja pritet të shqyrtohet më tej nga gjykata për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore.




