Tensionet në Lindjen e Mesme mbeten në nivele të larta, ndërsa Izraeli sinjalizon se ofensiva ushtarake nuk do të ndalet, pavarësisht diskutimeve për një armëpushim.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaroi se sulmet ndaj Iranit dhe Libanit do të vijojnë, duke theksuar se vendi i tij është i vendosur të mbrojë interesat jetike në çdo rrethanë.
Ai bëri të ditur se ka zhvilluar një bisedë me presidentin amerikan, Donald Trump, i cili ka lënë të hapur mundësinë e një marrëveshjeje, duke përmendur “një shans” për të shfrytëzuar situatën në terren drejt përfundimit të konfliktit.
Megjithatë, Netanyahu u shpreh qartë se operacionet ushtarake do të vazhdojnë paralelisht:
“Ne po vazhdojmë të godasim, si në Iran ashtu edhe në Liban. Ka ende shumë përpara. Do të mbrojmë interesat tona jetike në çdo situatë”, u shpreh ai.
Nga ana tjetër, Trump deklaroi se ka vendosur një shtyrje 5-ditore të sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike iraniane, duke përmendur bisedime “shumë të mira dhe produktive” me Teheranin për një zgjidhje të mundshme të konfliktit, gjë e cila u mohua nga zyrtarët iranianë.
Ndërkohë, brenda Izraelit ka edhe zëra që kërkojnë vijimin e luftës pa kompromis. Kreu i opozitës, Avigdor Lieberman, i bëri thirrje qeverisë që të mos ndalet, edhe nëse Shtetet e Bashkuara tërhiqen nga përfshirja direkte.
Përshkallëzimi i konfliktit nisi më 28 shkurt, kur SHBA-të dhe Izraeli ndërmorën një ofensivë të përbashkët ndaj Iranit. Që prej asaj kohe, raportohen mbi 1,300 viktima, ndërsa situata është përkeqësuar ndjeshëm në të gjithë rajonin.
Si kundërpërgjigje, Irani ka ndërmarrë sulme me raketa dhe dronë, duke goditur objektiva në Izrael dhe në vende të tjera të rajonit, përfshirë zona ku ndodhen baza ushtarake amerikane. Këto zhvillime kanë shkaktuar jo vetëm viktima dhe dëme materiale, por edhe tronditje në tregjet globale dhe në trafikun ajror.
Situata mbetet e paqëndrueshme, ndërsa çdo zhvillim i ri rrezikon të thellojë edhe më tej krizën në Lindjen e Mesme.




