Bido përgënjeshtron lajmin dhe satirizon Muhamed Veliun: Noka ta dha informacionin?

Deputeti i qarkut Vlorë, Ardit Bido, ka reaguar ndaj një lajmi të publikuar nga Top Channel, ku thuhej se ligjvënësi ishte kritikuar nga kryeministri Edi Rama në mbledhjen e Grupit të PS.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bido e ka cilësuar lajmin si të pavërtetë dhe ka ironizuar burimet e përdorura në raportim.
“Muhamed Veliu, i kishit burimet nga mbledhja aq ‘të sakta’ saqë edhe karikatura të doli me flokë”, shkruan ai, ndërsa e shoqëron reagimin me një karikaturë satirike.

Foto satirike e publikuar nga Ardit Bido
Në ilustrim ironizohet koncepti i “burimeve” në lajme, ku “burimi” fillimisht lidhet me emrin e Flamur Nokës dhe më pas shfaqet si një personazh pa identitet që komunikon në telefon me gazetarin.
Reagimi i deputetit vjen pas një lajmi të publikuar nga Top Channel, sipas të cilit gjatë një mbledhjeje të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama kishte shprehur pakënaqësi për rezultatin e zgjedhjeve në Sarandë.
Sipas këtij raportimi, Rama i ishte drejtuar Bidos me kritika dhe e kishte krahasuar me Damian Gjiknurin, duke sugjeruar se duhet të marrë shembull për të qenë më efikas në rezultatet elektorale.
Përmes këtij reagimi ironik dhe karikaturës shoqëruese, Bido e ka cilësuar lajmin si të pavërtetë, duke e përgënjeshtruar atë në mënyrë satirike dhe duke vënë në pikëpyetje besueshmërinë e burimeve.




