Gara për kreun e PD Fier, Gentian Koçi: Presione dhe tentativa për ndikim, por vota do të jetë e lirë

Kandidati për kryetar të Partisë Demokratike, dega Fier, Gentian Koçi, ka reaguar publikisht në lidhje me zhvillimet e fundit në garën brenda kësaj force politike, duke ngritur shqetësime për mënyrën se si po zhvillohet procesi.
Në një deklaratë të tij, Koçi thekson se gara nuk po zhvillohet vetëm mbi baza vlerash dhe idesh, por sipas tij po shoqërohet edhe me “manovra të ulëta, intriga dhe tentativa për ndikim të padrejtë” nga individë që, siç shprehet ai, e kanë përdorur Partinë Demokratike për interesa personale.
Ai akuzon se për vite me radhë, persona të caktuar kanë tentuar ta mbajnë degën e PD-së në Fier nën kontroll, duke e përdorur si mjet në funksion të pushtetit dhe duke e larguar nga demokratët dhe parimet themelore të saj.
Sipas Koçit, këto praktika i përkasin një mentaliteti të vjetër që nuk përputhet me frymën demokratike dhe që ka penguar zhvillimin normal të partisë në këtë qytet.
Megjithatë, kandidati shprehet i vendosur se kjo situatë do të marrë fund, duke garantuar se procesi i votimit do të jetë i lirë dhe i pandikuar.
“Partia Demokratike e Fierit do të votojë pa presion, pa trysni dhe pa manipulim. Vendimmarrja do të jetë në duart e demokratëve,” – thekson ai.
Në përfundim të reagimit, Koçi apelon për bashkim dhe për një të ardhme ndryshe për degën e PD-së në Fier, duke theksuar se demokratët nuk mund të mbahen më peng dhe se koha e praktikave të vjetra politike është drejt fundit.
Deklarata e plotë e Koçit:
❌❌❌❌❌❌❌
Sot, për fat të keq, gara në Partinë Demokratike të Fierit nuk po zhvillohet vetëm mbi vlera dhe ide, por po përballet me manovra të ulëta, intriga dhe përpjekje për ndikim të padrejtë nga individë që e kanë përdorur PD-në si mjet për t’i shërbyer pushtetit dhe interesave të tyre personale.
Nga individë që me të drejtë shumë demokratë dhe qytetarë fierakë i kanë quajtur “drapër e çekan”, për qasjen e tyre të vjetër dhe të papranueshme ndaj kësaj force politike.
Ka ende njerëz që mendojnë se kjo parti mund të drejtohet me metoda të vjetra, me frymë presioni dhe me një mendësi që nuk ka asnjë lidhje me demokracinë. Për vite me radhë kanë tentuar ta mbajnë PD Fier si një mjet në shërbim të pushtetit, duke e larguar nga demokratët dhe vlerat e saj.
Këta janë të njëjtët që kanë marrë besimin e demokratëve dhe e kanë përdorur për interesa personale, për favore të ngushta dhe për të mbajtur peng një degë të tërë.
✅✅✅✅✅✅✅✅✅
Por kjo kohë ka marrë fund.
FATI I KEQ I TYRE ESHTE QE UN JAM KTU DHE ATA E DINE VET TANI!
Unë ju jap fjalën dhe zotimin tim:
Partia Demokratike e Fierit do të votojë e lirë, pa presion, pa trysni dhe pa asnjë manipulim.
Vendimmarrja do të jetë në duart e demokratëve, jo në duart e individëve që përpiqen ta kontrollojnë atë.
Sado mekanizma të vjetër të përdoren, sado tentativa për ndikim të ketë, e vërteta është një:
demokratët nuk mund të mbahen më peng.
Ditët e kësaj mënyre të të bërit politikë janë të numëruara.
Koha dhe historia do të flasin për ta dhe do të jenë në faqet më të errëta të historisë së PD Fier, për çdo dëm që i kanë bërë kësaj force dhe demokratëve.
Sepse liria fillon nga vetja.
Dhe PD Fier do të jetë e lirë për të zgjedhur, për t’u bashkuar dhe për të ecur përpara, së bashku me çdo demokrat dhe çdo qytetar fierak që e do këtë parti.
RROFTË PARTIA DEMOKRATIKE, DEGA FIER!
RROFTË PARTIA DEMOKRATIKE E SHQIPËRISË!
RROFTË SHQIPËRIA! 🇦🇱





