Anëtari i Këshillit Bashkiak Erald Çepele: “Patosi u përket socialistëve, jo pazareve”

Anëtari i Këshillit Bashkiak në zonën Zharrëz, Erald Çepele, ka reaguar publikisht përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me situatën në Bashkinë Patos, duke ngritur shqetësime për mënyrën e funksionimit dhe përfaqësimit politik.
Në deklaratën e tij, Çepele shprehet se prej vitit 2007, kur drejtimi i bashkisë iu besua LSI-së, vendimmarrja është larguar nga baza e socialistëve, ndërsa janë imponuar kandidatura që, sipas tij, nuk burojnë nga kontributi, por nga pazare politike.
Ai thekson se investimet, punësimet dhe emërimet në poste kyçe nuk bazohen në meritë, por në interesa dhe afërsi, ndërsa përgjegjësia për rezultatet bie mbi Partinë Socialiste dhe mbështetësit e saj.
Sipas Çepeles, Patosi ka qenë historikisht një bastion i së majtës, por është përballur me nënvlerësim dhe mungesë përfaqësimi të figurave me kontribute reale brenda Partisë Socialiste.
Në të njëjtin reagim, ai shpall ambicien për të kandiduar për Kryetar të Bashkisë Patos në zgjedhjet vendore të vitit 2027, duke e cilësuar këtë si një përgjigje ndaj kërkesave të socialistëve dhe qytetarëve për ndryshim dhe drejtim më të drejtë.
Në përfundim, Çepele nënvizon nevojën për një drejtim që buron nga baza dhe për rikthimin e meritokracisë dhe zërit të socialistëve në Patos, Zharrëz dhe Ruzhdie.




