Ndjekje si në filma në rrugët e Vlorës, 14-vjeçari përplas makinat e policisë
Një ngjarje e pazakontë dhe e rrezikshme është regjistruar në qytetin e Vlorës, ku një i mitur rreth 14 vjeç ka drejtuar një automjet, ndërsa me të ndodhej edhe një bashkëmoshatar si pasagjer.
Sipas informacioneve paraprake, i mituri dyshohet se ka goditur disa automjete gjatë lëvizjes në zona të ndryshme të qytetit, duke shkaktuar panik dhe rrezik për përdoruesit e rrugës. Pas sinjalizimit, patrullat e policisë së rendit dhe të qarkullimit rrugor janë vënë në ndjekje të mjetit.
Gjatë tentativës për t’u larguar, drejtuesi i mitur ka përplasur fillimisht një automjet të forcave “Shqiponja” dhe më pas një tjetër mjet policie. Si pasojë e përplasjes, dy efektivë policie kanë mbetur të plagosur dhe janë transportuar menjëherë në spital për të marrë ndihmë mjekësore.
Pas ngjarjes, i mituri është larguar drejt banesës së tij, ku më pas është dorëzuar në komisariat.
Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave, ndërsa pritet të merren masa ligjore në lidhje me këtë rast të rëndë.




