Në Ditën Botërore të Autizmit/ Rritja e rasteve në Fier, apeli i Qendrës “Horizont”

Në Ditën Botërore të Autizmit, shqetësimi për rritjen e rasteve të fëmijëve të diagnostikuar me çrregullime të spektrit autik vazhdon të jetë i lartë, jo vetëm në botë, por edhe në Fier. Në Qendrën e Fëmijëve me Aftësi Ndryshe “Horizont”, numri i rasteve ka shënuar rritje nga viti në vit.
Sipas drejtorit të qendrës, Enri Lulaj, aktualisht 35 fëmijë trajtohen në këtë qendër. Nga 12 raste të reja të identifikuara, 5 janë fëmijë me spektrin autik.
“Prej dy vitesh kemi ulur në 3 vjeç moshën e fillimit të trajtimit për fëmijët me aftësi ndryshe, gjë që ka ndikuar ndjeshëm në përmirësimin e problematikave të tyre,” shprehet Lulaj.
Ai vlerëson gjithashtu nismën e fundit të qeverisë për njohjen si vite pune të kujdestarëve të personave me aftësi të kufizuar, duke e cilësuar si një hap shumë pozitiv. “Prindërit shpesh nuk kanë mundësi të punojnë, pasi detyrohen të kujdesen për fëmijët e tyre,” thotë ai.
Përveç mesazhit për prindërit, Lulaj apelon edhe tek shoqëria në tërësi: për fat të keq, fëmijët me aftësi ndryshe shpesh përballen me bullizim. Ai bën thirrje për pranimin dhe mbështetjen e tyre, që këta fëmijë të mund të japin më të mirën e tyre në shoqëri.




