Detaje të reja nga ngjarja e rëndë në Portëz/ 40-vjeçari i dha fund jetës, në proces divorci

Zbardhen detaje të reja nga ngjarja e rëndë e ndodhur një ditë më parë në fshatin Portëz të Fierit, ku një 40-vjeçar humbi jetën në mënyrë tragjike.
Sipas burimeve policore, viktima, Taulant Halka, jetonte në Vlorë së bashku me familjen, por prej kohësh kishte konflikte me bashkëshorten dhe ndodhej në proces divorci. Mësohet se çifti kishte zhvilluar edhe seanca gjyqësore për zgjidhjen e martesës, ndërsa bashkëshortja kishte kërkuar urdhër mbrojtjeje.
Një ditë para ngjarjes, 40-vjeçari, baba i dy fëmijëve të mitur, ishte larguar nga Vlora dhe kishte shkuar në banesën e prindërve të tij në Portëz.
Sipas të dhënave paraprake, mbrëmjen e djeshme ai dyshohet se i ka dhënë fund jetës në kushte të rënduara psikologjike, duke përdorur një armë gjahu që rezulton në pronësi të babait të tij.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë.




